Karburantet dhe zarzavatet, me rritjen më të fortë të çmimeve në prill, si ndryshoi shporta
Çmimet e produkteve të freskëta dhe karburanteve u rritën ndjeshëm, ndërsa sheqeri, patatja dhe konservat u bënë më të lira.

Ndryshimet sezonale, luhatjet në prodhim dhe import, si edhe efektet e tensioneve në Lindjen e Mesme, kanë sjellë lëvizje të forta të çmimeve të produkteve bazë dhe karburanteve gjatë muajit prill. Sipas të dhënave të INSTAT për artikujt kryesorë të shportës, tregu u karakterizua nga rritje të ndjeshme të çmimeve të prodhimeve të freskëta dhe të lëndëve djegëse, ndërsa disa produkte të tjera shënuan ulje të konsiderueshme.
Limoni dhe domatja me rritjen më të fortë
Limoni rezultoi produkti me rritjen më të madhe të çmimit në muajin prill. Çmimi mesatar i tij u rrit me 41.6 për qind, duke arritur në 212.4 lekë për kilogram, nga 150 lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pas limonit, domatja regjistroi rritjen e dytë më të lartë. Çmimi i saj u rrit me 20.1 për qind, duke arritur në 210.4 lekë për kilogram nga 175.2 lekë një vit më parë. Sipas të dhënave, kjo rritje lidhet me dëmet që ngricat dhe përmbytjet e pranverës shkaktuan në prodhimin bujqësor.
Nafta dhe kafeja u shtrenjtuan ndjeshëm
Në grupin e produkteve industriale, nafta shënoi një nga rritjet më të forta. Çmimi mesatar u rrit me 18.6 për qind, ose 32.2 lekë për litër më shumë krahasuar me prillin e vitit të kaluar. Një litër naftë u tregtua mesatarisht me 205.7 lekë gjatë muajit prill.
Rritja e çmimeve të karburanteve u shoqërua edhe me shtrenjtimin prej 17.3 për qind të lëndëve të tjera djegëse. Sipas të dhënave, ndikimi kryesor erdhi nga rritja e çmimeve të gazoilit në tregjet ndërkombëtare, e lidhur me tensionet dhe luftën në Iran.
Edhe kafeja e bluar shënoi rritje të ndjeshme. Çmimi i paketës 100 gramë u rrit me 12 për qind, duke arritur në 162.3 lekë. Në të njëjtën kohë, çmimi i verës u rrit me 11 për qind krahasuar me një vit më parë.
Sheqeri, patatja dhe konservat u bënë më të lira
Ndonëse disa produkte u shtrenjtuan ndjeshëm, familjet përfituan nga ulja e çmimeve në disa artikuj të tjerë. Sipas të dhënave të INSTAT, konservat shënuan rënie prej 18.8 për qind dhe u tregtuan mesatarisht me 168.4 lekë.
Sheqeri regjistroi rënien më të madhe mes produkteve bazë, me 19.6 për qind më pak se një vit më parë. Çmimi mesatar zbriti në 89.8 lekë për kilogram nga 111.7 lekë në prill 2025.
Patatja gjithashtu u bë më e lirë, me një rënie prej 18.9 për qind, duke u tregtuar mesatarisht me 83.5 lekë për kilogram. Sipas tregut, kjo lidhet me mbiprodhimin në disa vende europiane. Në të njëjtën linjë, qepët e thata shënuan ulje prej 13.5 për qind, duke arritur në 81.3 lekë për kilogram.
Drithërat dhe bulmeti mbetën relativisht të qëndrueshme
Produktet e brumit shfaqën stabilitet të lartë gjatë muajit prill. Buka u bë vetëm 0.7 për qind më e lirë, mielli shënoi ulje prej 3.6 për qind, ndërsa makaronat ranë me 2.3 për qind.
Edhe produktet e bulmetit nuk pësuan luhatje të mëdha. Qumështi u rrit vetëm me 0.4 për qind, ndërsa gjiza dhe kosi natyral shënuan rritje më të moderuara, respektivisht 7.1 për qind dhe 5.6 për qind. Ndërkohë, produktet e mishit mbetën pothuajse të pandryshuara krahasuar me një vit më parë.
Në tërësi, të dhënat e prillit tregojnë se presionet më të mëdha mbi buxhetet familjare erdhën nga produktet e freskëta bujqësore dhe karburantet, ndërsa një pjesë e artikujve bazë ushqimorë ruajtën stabilitet ose shënuan ulje çmimesh.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)